Struktura 2-10-11-12 dhe 13 kate me 3 kate parkimi nëntokë është vendosur në rrugën "Brigada VIII", në zonën e ish-Bllokut, në formë lineare me fasada dominuese xhami duke vazhduar murin urban te krijuar nga godinat ekzistuese ne zonë, gjë që krijon mundësinë e formimit të një oborri me karakter rekreativ, midis hapësirës së kopshtit dhe godinës në pjesën jugore të pronës.
Nëse në rrugën kryesore, aktivitetet dhe shërbimet janë tërësisht publike për të gjithë zonën, në pjesën e oborrit jugor aktivitetet do të jenë gjysmë private e gjysmë publike brenda bllokut.
Projekti i paraqitur, propozon dy kate shërbime; kati përdhe ka lartësi 4.39 m dhe ka hyrje në shërbime përgjatë gjithë vijës perimetrale të objektit nga rruga “Brigada VIII”. Kati i dytë i dedikohet po ashtu shërbimeve. Dyqanet janë konceptuar me hapësirë dhe me pamje nga rruga dhe nga oborri nga pjesa jugore, përmes volumeve transparente, me fasada dominuese xhami.
Ambjentet kanë diellëzim dhe ajrim të mirë, për shkak të orientimit nga jugu, si dhe një zgjidhje funksionale me ndarje të zonës së ditës me atë të natës. Ambjentet e shkallës janë me ndricim dhe ajrim natyral me hapësirë të bollshme funksionale.